Breshka4

Protecting sea turtles

  • Uncategorized

breshka4Me datë 25 Gusht, aktivistët e Shoqatës për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë dhe Institutit të Kërkimeve Urbane kanë realizuar rikthimin e një breshke deti (C.Caretta) në habitatin e saj. Breshka ishte dorëzuar nga një peshkatar në një nga restorantet e Tiranës dhe prej 3 ditësh mbahej në një pishinë të vogël plastike (siç shihet në foto). Pronari i restorantit, ndonëse  ishte i pa informuar për statusin e breshkës dhe rëndësine që ajo paraqet, u tregua bashkëpunues dhe mirkuptues për lëshimin e saj. Në kohën e marrjes nga aktivistët, breshka ishte në gjendje të lodhur dhe reagonte pak. Por, në momentin e zbritjes nga automjeti, sapo ra në kontakt me ajrin e detit breshka u bë aktive dhe tentoi të kërcente nga vaska.

Menjëherë mbas lëshimit në rërë ajo vrapoi drejt detit duke përshkruar një distancë prej disa metrash në vetëm pak sekonda. Më tej ajo nisi notimin në det. Për të shmangur ngecjen në rrjetat dhe mekanizmat e peshkimit që gjenden në zonën e Lagunës së Patokut, lëshimi i saj u bë në det të hapur, në një zonë pa pushues në Tale, Lezhë. Breshkat e detit janë ndër llojet e rrezikuara (IUCN Red List) që mbrohen nga disa Konventa (BERN, BON, CITES, Barcelona) në të cilat Shqipëria është palë. Po ashtu breshkat e detit mbrohen edhe nga legjislacioni shqiptar i biodiversitetit dhe përfshihen edhe në Listën e Kuqe të Florës dhe Faunës (Urdhëri i Ministrit të Mjedisit nr.146/2007, dhe nr.1280/2013).

Në kuadër të mbrojtjes së breshkave të detit në Shqipëri është hartuar edhe një Plan Veprimi i detajuar (Action Plan for the Conservation of Sea Turtles and their Habitats in Albania – MEDASSET 2012). Në Shqipëri frekuentojnë zonën bregdetare të Patokut dy lloje beshkash deti, të cilat shpesh bien pre e mekanizmave të peshkimit. Një kontribut të shquar për mbrojtjen e tyre në këtë zonë ka biologu Prof.Dr.Idriz Haxhiu, i cili prej vitesh punon për monitorimin e tyre dhe rritjen e ndërgjegjësimit në komunitetet e peshkatarëve dhe publikut.

Breshkat e detit janë migratore gjatë gjithë jetës së tyre dhe kanë sukses të ulët mbijetese; vlerësohet se vetëm 1 në 1000 çelje arrin të mbijetojë dhe kryejë cikël të plotë jete. Edhe vetëm prej këtij fakti kuptohet sa e rëndësishme është ruatja e tyre, pa përjashtuar edhe shkaktarë të tjerë kërcënues si dëmtimi i habitatit apo ndotja e ujërave që ndikojnë në prodhimtarinë e ujërave të detit. Aktualisht, Shoqata për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë dhe Instituti i Kërkimeve Urbane janë duke punuar për një projekt të përbashkët për mbrojtjen e biodiversitetit në Lagunën e Patokut (www.biodiversitetitpatokut.com) në kuadër të të cilit parashikohen aktivitete ndërgjegjësuese me komunitetin.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, duhet theksuar se ndërgjegjësimi i publikut për mbrojtjen e biodiversitetit është një proces i rëndësishëm që duhet kryer në vijimësi nga palët e interesit. Nje filmim video i lëshimit të breshkës gjendet në faqet elektronike: www.biodiversitetitpatokut.com dhe www.aspbm.org

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON