Qemali

Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve, Shkodër në aksion për prishjen e strehave të gjuetisë

Shoqata  Për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë po zbaton projektin “Forcimi i zbatimit të ligjit dhe kapaciteteve për zhvillimin e qëndrueshëm të gjuetisë (me fokus kryesor shpendët) në Shqipëri” mbështetur nga Critical Ecosystems Partnership Fund. Në kuadër të këtij projekti  po kryhet monitorimi i zbatimit të ndalimit të gjuetisë  në 7 zona me rëndësi për shpendët (lagunat kryesore) si dhe raportimi pranë autoriteteve ligjzbatuese të rasteve të gjuetisë të paligjshme.

Monitorimi po kryhet në partneritet me disa shoqata si PPNEA, Tiranë; APAWA, Shkodër dhe EIRLA, Lezhë. Në fokus të vrojtimeve në terren kanë qenë edhe objektet që përdoren për gjuetinë e paligjshme të tilla si rrethime, streha të fshehta apo të quajtura “ fushenjëza”. Në këto objekte të improvizuara në ngjashmëri me elementet e terrenit fshihen gjuetarët për të mos u pikasur nga shpendët. Këto teknika maskimi janë të ndaluara të përdoren aq më tepër në zonat e mbrojtura, ku gjuetia është tërësisht e ndaluar. Si rezultat i vrojtimeve në terren, në rezervatin e Velipojës janë evidentuar dhe shënuar nëpër harta dy fushenjëza. Këto konstatime shoqata jonë i ka adresuar zyrtarisht pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Shkodër (shkresë e datës 15 Shkurt 2015) i cili ka reaguar menjëherë duke kryer edhe prishjen e tyre në datën 25 shkurt 2015. Me këtë rast shprehim falenderimin tonë për Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Shkodër për marrjen e masave konkrete dhe prishjen e objekteve të paligjshme të gjuetisë. Pamje nga aksioni i Inspektoriatit mund të ndiqet në: https://www.youtube.com/watch?v=BPwbDqM_FSs

Veprime të tilla po planifikohen edhe në disa zona të mbrojtura ku janë evidentuar maskime të paligjshme që favorizojnë gjuetinë. Këto masa synojnë të ndihmojnë në uljen e shkallës së gjuetisë së paligjshme në momentin që do pushojnë efektet e ligjit të ndalimit të saj.

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON