Trajnimi

Trajnimi i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave në Lezhë

Në datën 3 mars 2015, në ambientet e bibliotekës së qytetit të Lezhës, në kuadër të projektit “Zbatimi dhe Përmirësimi i Legjislacionit për Gjuetinë dhe Forcimi i Kapaciteteve Institucionale për Menaxhimin e Faunës së Egër (me fokus shpendët) në Shqipëri” i mbështetur nga CEPF, shoqata ASPBM organizoi trajnimin e parë me Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave të Lezhës dhe Shkodrës. Tematika e këtij trajnimi ishte “Kuadri Ligjor Menaxherial i Gjuetisë dhe i Biodiversitetit”. Gjatë këtij trajnimi u analizua gjendja aktuale e biodiversitetit dhe kërcënimet, vecanërisht sfidat që inspektoriatet duhet të përballen për të realizuar përmirësimin e gjëndjes të biodiversitetit. 

Fjala e hapjes u mbajt nga koordinatori i projektit Z. Klodian Aliu, njëkohësisht dhe kryetar i shoqatës ASPBM. Z. Aliu shpjegoi se qëllimi i këtij trajnimi është dhënia e një informacioni shtesë, duke ndihmuar dhe ndikuar në punën e inspektorateve, për të qenë sa më efikase. Pasi është e nevojshme që të kemi një bashkëpunim me organizmat shtetëror për të ndikuar në përmirësimin e biodiversitetit.

Eksperti i shoqatës Prof. Ferdinand Bego prezantoi kuadrin ligjor dhe rregullator për ruajtjen e biodiversitetit, faktorët kërcënues si dhe plane menaxhimi dhe veprimi me fokus Qarkun Lezhë dhe Shkodër. Prezantimet vijuan edhe nga koordinatori i projektit Z.Aliu, i cili paraqiti kuadrin ligjor rregullator dhe menaxherial të gjuetisë, njohjen me llojet e ndaluara të gjuetisë si dhe statusin e zonave të mbrojtura në inspektoratet përkatëse.

Përveç trajnimit shoqata jonë iu dhuroi të dy inspektorateve dosje me kuadrin ligjor të mjedisit dhe nga një libër, “Shpendët dhe Gjitarët e Shqipërisë” publikuar nga dy ekspertë të shoqatës.

Trajnimi i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, me inspektoriatet përkatëse të  Fierit dhe Vlorës.

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON