Picture1

Shkatërrohen strehimet e paligjshme të gjuetisë në Zonën e Mbrojtur të Kune-Vainit, Lezhë.

Shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë po zbaton projektin “Forcimi i zbatimit të ligjit dhe kapaciteteve për zhvillimin e qëndrueshëm të gjuetisë (me fokus kryesor shpendët) në Shqipëri” mbështetur nga Critical Ecosystems Partnership Fund (CEPF). Në kuadër të këtij projekti është kryer monitorimi i zbatimit të ndalimit të gjuetisë në 7 zona me rëndësi për shpendët (lagunat kryesore) si dhe raportimi pranë autoriteteve ligjzbatuese të rasteve të gjuetisë të paligjshme. Në fokus të vrojtimeve në terren kanë qenë edhe objektet që përdoren për gjuetinë e paligjshme të tilla si rrethime, streha të fshehta apo të quajtura “fushenjëza”. Në këto objekte të improvizuara në ngjashmëri me elementet e terrenit fshihen gjuetarët për të mos u pikasur nga shpendët. Këto teknika maskimi janë të ndaluara të përdoren aq më tepër në zonat e mbrojtura ku gjuetia është tërësisht e ndaluar. Si rezultat i vrojtimeve në terren në rezervatin e Kune Vainit janë evidentuar disa fushenjëza të cilat kishin brenda dhe imitues të zërave të rosave si dhe 9 rosa plastike. Këto mjete të ndaluara me ligj edhe në sezon gjuetie përdoren për të terhequr shpendët pranë fushenjzave duke i sjellë më pranë shënjestrës së gjuetarëve. Këto konstatime shoqata jonë i ka adresuar zyrtarisht pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Lezhë i cili ka reaguar menjëherë duke kryer edhe prishjen e tyre në 13 Mars 2015. Gjatë aksionit u sekuestruan dhe pajisjet e paligjshme të gjuetisë (imituesit) që gjendeshin brenda tyre.

Me këtë rast shprehim falenderimin tonë për Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Lezhë për bashkëpunimin dhe prishjen e objekteve të paligjshme të gjuetisë.

Pamje nga aksioni i Inspektoriatit dhe ekipit të shoqatës mund të ndiqen në

https: //www.youtube.com/watch?v=dYQz9OsI-TE

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON