Aurora..

Arusha Aurora mbërrin “shëndoshë e mirë” në qendrën e rehabilitimit, Gjermani

Shoqata ASPBM, në bashkëpunim me organizatën Animal Rescue Albania (ArSA), Ministrinë e Mjedisit, stafin e Kopshtit Zoologjik të Napolit, Qendrën e Rehablitimit të Arinjve në Gjermani (Gnadenhof für Bären, Bad Füssing), realizuan me sukses operacionin e transferimit të arushës Aurora drejt kësaj qendre. Kjo arushë mbahej prej 6 muajsh në kushte të papërshtatshme në një lokal në Gjirin e Lalzit, me qëllim tërheqjen e vizitorëve. Ariu i murrëm ka statusin “i përkeqësuar deri në rrezik zhdukje“, pjesë e listës së llojeve ndërkombëtarisht të mbrojtura (Konventa e Bernës). Sipas nenit 22 i ligjit Nr.10 006, datë 23.10.2008 për “Mbrojtjen e llojeve të Faunës së Egër”, ndalohet përdorimi i individëve të llojeve të faunës së egër me status të veçantë mbrojtje. Ndërkohë neni 27 i këtij ligji, ndalon mbajtjen e individëve të llojeve të egra që nuk janë lindur në robëri.

Aktualisht, Shqipëria është i vetmi vend i rajonit që nuk ka qendra të rehabilimit për të mbrojtur dhe riaftësuar individë të llojeve të faunës së egër të kapur, të sekuestruar, apo të braktisur. Për këto arsye, është kërkuar asistenca e stafit të Bad Füssing, në Gjermani, për t’i siguruar arushës një vend më të përshtatshëm për të jetuar.

Në përgjithësi, transferimi i arinjve dhe llojeve të tjera të faunës së egër drejt qendrave të rehablitimit në shtete të tjera, zgjat 3-6 muaj. Për fatin e mirë të Aurorës, përfaqësuesit e Drejtorisë së Biodiversitetit, Znj. Ramaj dhe Z. Halimi, kanë qenë mjaft të shpejtë në përgatitjen e dokumentacionit përkatës dhe lehtësimin e këtij procesi. Megjithatë që këto procedura të jenë të suksesshme, kërkohet impenjim koherent dhe sa më efektiv dhe i specialistëve përkatës të Ministrisë së Bujqësisë, dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.

Shpëtimi i Aurorës i jep shpresë dhe rreth 50 arinjve të tjerë që mbahen në kushte robërie sot, në Shqipëri.

Për informacion të mëtejshëm për rrugëtimin e Aurorës drejt lirisë, lutemi të vizitoni faqen tonë zyrtare në Facebook: “ASPBM/Albanian Society for Protection of Birds & Mammals” dhe “Bears – Albania”.

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON