Habitatet që gjenden në brendësi të liqenit, rrjedhjeve ujore dhe mozaikut bujqësor në afërsi të tij ofrojnë kushte të favorshme për një numër të madh llojesh shpendësh. Nga vrojtimet e realizuar në datat 26-27 gusht (zona e vilave – Tushemisht doganë) u evidentua prania e 32 specie shpendësh, të lidhur me habitate ujore, pyjet breglumore, kallamishtet dhe mozaikun bujqësor. Llojet më të shpeshtë që mund të shihen në liqen janë karabullaku i vogël (Microcarbo pygmeus), bajza (Fulica atra), pulëbardha e zakonshme (Chroicocephalus ridibundus), kredharaku i madh (Podiceps cristatus), zhytësi i vogël (Tachybaptus ruficollis), ndërsa me popullata më të vogla janë zhytësi i mesëm me callmë (Mergus merganser), qyrylyku i vogël (Actitis hypoleucos), gjelza laramane (Arenaria interpres), cafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta). Në mjediset ujore të Drilonit u evidentua prania e pulës të ujit (Gallinula chloropus), martin peshkatarit, (Alcedo atthis), bishtundësit të malit (Motacilla cinerea), ndërsa në pyjet dhe shkurret bregujore qykapiku larman (Dendrocopos syriacus), trishtili i madh (Parus major), mizakapsi (Musicarpa striata). Habitatet e mozaikut bujqësor dhe terreneve të hapura krijojnë kushte për disa lloje shpendësh si gardelina (Carduelis carduelis), larashi kurriz kuq (Lanius collurio), dervishi (Galerida cristata) etj.

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON