ekspediteDitën e shtunë, datë 16 maj 2015 ekipi i ASPBM u nis drejt Kepit të Rodonit për tu njohur me biodiversitetin e kësaj zone. Kepi i Rodonit, që mban emrin e një hyjnie ilire të ngjashëm me Poseidonin helen dhe Neptunin romak, të njohur në mitologji si perëndi e detit, është një nga pjesët më të bukura dhe strategjike të bregdetit shqiptar.

Me të mbërritur në Kepin e Rodonit bëmë një pushim të shkurtër dhe ngritëm çadrat e kampingut. Çadrat u vendosën pranë Kishës së Shën Ndout në një pozicion piktoresk, ku ndërthuren bukur ngjyra e kaltër e detit me të gjelbrën e bregut.

Pas vendosjes së çadrave dhe sigurimit të shkarpave për zjarrin dolëm në terren për tu njohur më tepër me zonën. Menjëherë na përshëndeti qyqja (Cuculus canorus), një shpend shumë i bukur, që e shohim rrallë. Ajo na shoqëroi për disa sekonda dhe më pas fluturoi për të njoftuar të tjerët, për miqtë që sapo kishin ardhur.

Rrugës pamë dhe disa shpendë si cërla gushëgjelbër (Emberiza cirlus), bishtbardha vetullzezë (Oenanthe hispanica) etj. Krahas tyre takuam dhe bukuroshen (Lacerta trilineata) si dhe kokëzogëza (Anguis fragilis).

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON