Fokusi kryesor i konferencës Adriatik Flyway është mbrojtja e shpendëve shtegtarë përgjatë rajonit të Adriatikut. Konferenca u zhvillua nga 1-3 tetor 2014, në Durrës, Shqipëri, dhe u organizua nga EURONATUR në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit MAVA. Qëllimi i konferencës ishte që të nxjerrë në pah rëndësinë e zonës së bregdetit nga Sllovenia deri në jug të Shqipërisë, për mbrojtjen e shpendëve shtegtarë. Për këtë qëllim, EURONATUR ftoi së bashku vendimarrësit, ekspertët e mbrojtjes së natyrës dhe ornitologë nga Ballkani dhe përfaqësues nga shtete të ndryshme nga bota. Konferenca ofroi mundësinë për të shkëmbyer informacion të dorës së parë dhe të krijojë kontakte të reja për të promovuar mbrojtje të shpendëve në Ballkan. Gjatë konferencës u bënë prezantime për hapat legjislative dhe aplikimet e tyre në terren, për mbrojtjen e shpendëve migratorë përgjatë Adriatikut. Prezantimet e secilit vend paraqitnin mënyrat e kooperimit të pushtetit vendor, OJF-ve dhe publikut në procesin e ruajtjes të shpendëve migratorë. Bashkëpunimi ndërkufitar, shkëmbimi i eksperiencave, i informacionit, realizimi i projekteve të përbashkëta është një proces kyç për të pasur një realizim më të mirë të objektivave jo vetëm kombëtare, por dhe rajonale.

ASPBM mori pjesë intensivisht në takime dhe diskutime që u realizuan gjatë konferencës. Diskutimet trajtuan problematikat mbi faktorët e rrezikimit të shpendëve, mënyrat e menaxhimit, dhe rolin i OJF-ve në këtë proces. Dita e fundit e konferencës u zhvillua në formën e ekspeditës në terren, në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, për të evidentuar si realizohet menaxhimi i një zone të mbrojtur ku jetojnë shpendë si pelikani kacurrel (Pelecanus crispus) i cili folezon në lagunë, karabullaku i madh (Phalacrocorax carbo), çafka e vogël e bardhë (Egretta garzetta) etj.

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON