shkelje-temoratoriumitShoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM), nëpërmjet këtij njoftimi për shtyp ngrenë shqetësimin lidhur me shkeljet e vazhdueshme të moratoriumit të gjuetisë të vëzhguara në muajt e fundit. Grupet e monitorimit në terren të këtyre organizatave dhe rrjetet e bashkëpunëtorëve të tyre në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kanë konstatuar dhe dokumentuar një intensifikim të lartë të rasteve të gjuetisë së paligjshme, veçanërisht në periudhën nëntor 2015 – janar 2016.

Moratoriumi dy vjeçar i gjuetisë hyri në fuqi në mars të vitit 2014, si masë imediate për mbrojtjen e popullatave të fundit të faunës së egër në Shqipëri, gjymtuar në vite si pasojë e një gjuetie të shfrenuar dhe nisur nga dispozitat ligjore në fuqi, afati i këtij moratoriumi përfundon në 15 mars të këtij viti. Organizatat vlerësojnë ndikimin tërësor pozitiv që moratoriumi ka patur në uljen e gjuetisë në Shqipëri në këto dy vjet, por shprehin shqetësimin se në muajt e fundit, zbatimi i tij ka rënë ndjeshëm dhe situata e vëzhguar në terren cënon seriozisht suksesin dhe përmbushjen e objektivave të moratoriumit. Pavarësisht të qenurit në fuqi të moratoriumit, gjuetia e paligjshme vazhdon të ndodhë dhe është intensifikuar së tepërmi, kryesisht nëpërmjet vrasjes së kafshëve të egra me armë zjarri, por edhe nëpërmjet kurtheve të ndryshme.

Nga vrojtimet në terren, rezulton se gjuetia e paligjshme praktikohet kryesisht përgjatë fundjavës (veçanërisht të dielën) dhe orëve të para të mëngjesit, por edhe gjatë natës. Kohë në të cilën organet ligjzbatuese, duket se kanë një vigjilencë më të shkujdesur mbi kontrollin e territorit, të cilën e përdorin më së miri abuzuesit. Gjuetia e paligjshme është konstatuar në të gjithë territorin e vendit, dhe pothuajse në të gjitha zonat e mbrojtura ligatinore, por edhe në zonat e mbrojtura malore, të cilat kanë qenë në fokus të monitorimit, duke mos kursyer as llojet e rrallë, pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë, si huta, kaprolli, ujku, derri i egër etj. Vetëm përgjatë dy muajve të fundit janë konstatuar dhe dokumentuar 1507 raste të gjuetisë së paligjshme, dhe pritet që këto raste të shtohen, veçanërisht përgjatë kësaj fundjave ku është parashikuar një rënie e ndjeshme e temperaturave, ç’ka shkakton grumbullimin e grupeve të mëdha të shpendëve dimërues në zonat ligatinore.

Ndër zonat më problematike, rezultojnë ato ligatinore-bregdetare si laguna e Patokut në rrethin e Lezhës, ligatina e Fllakës në afërsi të Durrësit, laguna e Vilunit në rrethin e Shkodrës, kompleksi ligatinor Vjosë – Nartë në rrethin e Vlorës etj, ku numri i fushejzave të gjahtarëve në disa prej zonave të përmendura është dyfishuar vetëm përgjatë dy javëve të fundit. Gjithashtu e njëjta situatë problematike paraqitet edhe në zona të tjera, në mënyrë të veçantë në rajonin Pukë-Mirditë, në rajonin e Korçës, rajonin e Tropojës etj.

Facebook
Twitter
SHARE
YouTube
SOCIALICON